Popullsia

Sipas të dhënave nga Enti statistikor shtetëror për vitin 2011, në territorin e Komunës së Strugës jetojnë 64657 banorë, 49,8% e të cilëve janë pjesëtarë të meshkujve dhe 50.2% janë pjesëtare të femrave, në një dendësi prej 130 banorë/km2, në gjithsej 50 vendbanime.

Nga numri i përgjithshëm i banorëve, 57% e popullsisë i takon komunitetit  shqiptar, 32% janë të komunitetit maqedonas, 6% të komunitetit turk, 1% të komunitetit të vllehëve dhe më pak se një përqind të popullsisë i takojnë edhe komunitetit egjyptian, rom, boshnjak, serb dhe të tjerë.

Klima

Klima në fushëgropën e Strugës, sipas parametrave gjeografikë, është kontinentale, por për shkak të afërsisë së Detit Adriatik në Perëndim të Strugës ndihet influenca e rrymave të ngrohta të këtij deti.

Sa u përket kushteve klimaterike, temperaturat gjatë tërë viti në Strugë kanë rëndësi të veçantë, sepse janë faktorë që ndikojnë në zhvillimin e turizmit.

Temperaturat maksimale mesatare të ajrit arrijnë 270C në muajt Korrik dhe Gusht, por ndodh që gjatë sezonit veror ato të zënë gradën midis 35-380C.

Temperatura mesatare e ujit të Liqenit të Ohrit në verë arrin 260C, kurse temperatura mesatare vjetore kap rreth 120C.

Duke qenë e rrethuar me kodrina të larta malore dhe si rezultat i rrjedhës së lumit Drini i Zi, në periudhën dimërore në Strugë mbizotërojnë temperatura relativisht të ulëta, kurse gjatë  kësaj periudhe temperaturat mesatare të ajrit sillen mbi 00C, që ndikojnë në zhvillimin pozitiv të turizmit edhe në këtë stinë vjetore.

 

Numri mesatar i ditëve me temperaturë verore zë afro 80 ditë, me intensitet më të lartë gjatë muajve Korrik dhe Gusht, kurse me 2200 orë diellore në vit, Struga zë një nga vendet e para në Republikën e Maqedonisë. 

Pozita gjeografike

Struga komunikon mjaft mirë me rajonet fqinje: Struga ndodhet vetëm 14 km largpikës kufitare të Qafës së Thanës me Republikën e Shqipërisë, 160 km me Republikën e Kosovës (përmes kufirit në Jazhincë të Tetovës), ose 190 km përmes kufirit të Bllacës në veri të Shkupit, 100 km me Republikën e Greqisë përmes pikës kufitare Mexhitli, 290 km me Republikën e Bullgarisë përmes kufirit të Kriva Pallankës apo Strumicë, kurse 230 km me Republikën e Serbisë përmes kufirit Tabanoc. 

Me të gjitha destinacionet tjera më të largëta europiane dhe botërore, Struga lidhet përmes aeroportit ndërkombëtar të Ohrit që ndodhet vetëm 9 km larg.

Komuna e Strugës shtrihet në një sipërfaqe prej 507 km2, ndërsa qyteti i Strugës në një lartësi mbidetare prej 698 metrave, në brigjet e Liqenit të Ohrit dhe lumit Drini i Zi, i cili e ndan qytetin në dy pjesë.